1633.
Xhabiri r.a. tregon: "Isha me të Dërguarin e Allahut a.s. në një fushatë luftarake në drejtim të Nexhdit. Kur ai u kthye, edhe unë u ktheva bashkë me të. Koha e gjumit të pasdrekës na zuri në një luginë plot me shkurre me gjëmba. I Dërguari i Allahut a.s. zbriti nga deveja dhe njerëzit u shpërndanë të gjejnë hije nën ato shkurre. I Dërguari i Allahut a.s. zuri hije nën një akacie dhe vari shpatën në të. Kishim fjetur pak, kur papritur, na thërret i Dërguari i Allahut a.s.! Shkuam shpejt tek ai dhe pamë një beduin të ulur aty me të! I Dërguari i Allahut a.s. tha: "Ky beduin e nxori shpatën time nga milli, kur unë po flija. Kur u zgjova, e pashë shpatën e zhveshur në dorën e tij dhe më tha: 'Kush mund të të mbrojë tani ty nga unë?' Unë i thashë: 'Allahu!' Dhe ja ku është ulur tani." I Dërguari i Allahut a.s. nuk e ndëshkoi atë." (4135)
|