1662.
Urva Ibn Zubejri r.a. tregon: "Kur i Dërguari i Allahut a.s. u nis drejt Mekës vitin e çlirimit të saj dhe ky lajm u mbërriti kurejshëve, Ebu Sufjani, Hakim Ibn Hizami dhe Budejl Ibn Verka dolën për të mbledhur të dhëna për të Dërguarin e Allahut a.s.. Ata vazhduan rrugën derisa arritën në Merre Dhahran afër Mekës, kur ç'të shohin! Aq shumë zjarre si të ishin zjarret e Arafatit! Ebu Sufjani tha: "Ç'janë këta?! Sikur të jenë zjarret e Arafatit?!" Ndërsa Budejli tha: "Janë zjarret e fisit Beni Amr." Ebu Sufjani ia ktheu: "Beni Amrët janë më pak se kaq." Ndërkohë disa roje të të Dërguarit të Allahut a.s. i panë dhe iu afruan pranë, pastaj i kapën dhe i çuan tek i Dërguari i Allahut a.s.. Aty Ebu Sufjani pranoi Islamin. Ndërsa Pejgamberi a.s. vazhdoi më tej, i tha Abbasit: "Mbaje Ebu Sufjanin në majë të malit që të mund t'i shohë muslimanët." Kështu Abbasi e mbajti Ebu Sufjanin aty, ndërsa fiset me Pejgamberin a.s. filluan të kalojnë grupe-grupe para Ebu Sufjanit. Kaloi një grup luftëtarësh dhe Ebu Sufjani pyeti: "O Abbas, kush janë këta?" Abbasi i tha: "Këta janë fisi Benu Gifar."Ebu Sufjani tha: "S'kam të bëj gjë me Benu Gifarët." Kur kaloi grupi i fisit Xhuheina dhe ai tha të njëjtat fjalë. Po kështu tha edhe kur kaloi grupi i fisit Saad Ibn Huzeim. Pastaj kaloi grupi i fisit Suleim dhe ai prapë përsëriti të njëjtat fjalë, derisa, kur kaloi një grup ndryshe nga ç'kishte parë më pare, pyeti: "Kush janë këta?" Abbasi i tha: "Këta janë ensarët të udhëhequr nga Saad Ibn Ubada, ai që mban flamurin." Saad Ibn Ubada thirri: "O Ebu Sufjan! Sot është dita e betejës së madhe dhe sot, ajo që është e ndaluar në Qabe, do të jetë e lejueshme." Ebu Sufjani tha: "O Abbas! Sa e shkëlqyer është dita e shkatërrimit!" Pastaj kaloi një grup tjetër luftëtarësh që ishte më i vogli i të gjithë grupeve. Mes tyre ishte i Dërguari i Allahut a.s. dhe shokët e tij dhe flamuri i Pejgamberit a.s. të cilin e mbante Zubejri. Kur kaloi i Dërguari i Allahut a.s. pranë Ebu Sufjanit, ky e pyeti: "A e di se ç'ka thënë Saad Ibn Ubada?" Pejgamberi a.s. e pyeti: "Çfarë ka thënë?" Ebu Sufjani i tregoi ç'kishte thënë. Pejgamberi a.s. tha: "Saadi nuk ka thënë të vërtetën, por sot në këtë ditë Allahu do ta madhërojë Qabenë, e cila sot Kabja do të mbulohet me copë." Pastaj i Dërguari i Allahut a.s. urdhëroi që flamuri i tij të vendosej në Haxhun. Abbasi e pyeti Zubejrin: "O Ebu Abdullah! A këtu të urdhëroi ta vendosesh flamurin i Dërguari i Allahut?" I Dërguari i Allahut a.s. e urdhëroi Halid Ibn Velidin të hynte në Mekë nga pjesa e sipërme e nga Kedai, ndërsa Pejgamberi a.s. hyri nga Kuda. Atë ditë ranë dëshmorë dy kalorës të Halidit të quajtur Hubeish Ibn Eshëar dhe Kurz Ibn Xhabir Fihrij." (4280)
|