530.
Berau r.a. tregon: "Pejgamberi a.s. na mbajti hytben pas faljes së namazit ditën e Kurban-Bajramit dhe tha: "Kushdo që fal namazin si ne dhe bën kurban siç bëjmë ne, atëherë kurbani i tij do t'i pranohet nga Allahu, ndërsa kushdo që e pret kurbanin para namazit të Bajramit, atëherë ai nuk ka bërë kurban." Ebu Burda, daja i Beraut tha: "O i Dërguari i Allahut! Unë e thera delen time para faljes së namazit të Bajramit, ndërsa e mendova ditën e sotme si ditë ngrënie e pirje (e jo ditë agjërimi) dhe desha që delja ime të ishte e para që therej në shtëpinë time. Kështu pra, unë e bëra kurban delen time dhe hëngra (ushqim) para se të vij për të falur namazin." Pejgamberi a.s. tha: "Delja që ke prerë është thjesht mish (dhe jo kurban)." Ai tha: "O i Dërguari i Allahut! Kam një ftujë që e dua më shumë se dy dele. A do të mjaftonte kjo kurban për mua?" Pejgamberi a.s. i tha: "Po, do të mjaftojë për ty, por nuk do të mjaftojë (për kurban) për askënd tjetër pas teje." (955)
|