1. Fillimi i frymëzimit hyjnor (7) 2. Besimi (46) 3. Dituria (56) 4. Avdesi (75) 5. Gusli (18) 6. Menstruacionet (20) 7. Tejemumi (5) 8. Falja e namazit (84) 9. Sutra e atij që fal namaz (13) 10. Koha e faljes së namazeve (45) 11. Ezani (55) 12. Përshkrimi i namazit (67) 13. Xhumaja (32) 14. Namazi i frikës (3) 15. Dy bajramet (12) 16. Vitri (8) 17. Namazi për shi (14) 18. Eklipset (8) 19. Sexhdet në Kuran (6) 20. Shkurtimi i namazit (15) 21. Namazi tehexhxhud (30) 22. Namazet në xhamitë e Mekës dhe të Medines (4) 23. Veprimet e ndaluara gjatë namazit (7) 24. Sehvi sexhdeja (2) 25. Xhenazet (69) 26. Zekati (64) 27. Sadakaja e fitrit (3) 28. Haxhi (vizita në Mekë) (94) 29. Umreja (16) 30. Mahsari dhe ndëshkimi për gjahun (5) 31. Ndëshkimet e gjahut (për muhrimin) (18) 32. Vlerat dhe virtytet e Medines (17) 33. Agjërimi (53) 34. Falja e teravisë (6) 35. Itikafi (6) 36. Shitblerja dhe tregtia (65) 37. Selemi (3) 38. E drejta e parablerjes (2) 39. Dhënia me qira (6) 40. Havala (kalimi i borxhit) (4) 41. Përfaqësimi (ose autorizimi) (7) 42. Kultivimi i bujqësisë (17) 43. Ujitja (14) 44. Borxhet, bllokimi i pasurisë dhe i falimentimi (5) 45. Grindjet (4) 46. Sendet e gjetura (2) 47. Padrejtësia (18) 48. Pjesëmarrja në ortakëri (6) 49. Lënia peng në qytete (3) 50. Lirimi i skllevërve (11) 51. Dhuratat (24) 52. Dëshmitë (14) 53. Kushtëzimet (5) 54. Amanetet dhe porositë (10) 55. Xhihadi (144) 56. Fillimi i krijimit (51) 57. Ndodhitë e pejgamberëve (121) 58. Virtytet dhe meritat e sahabëve (79) 59. Betejat (113) 60. Tefsiri (94) 61. Vlerat dhe virtytet e kuranit (22) 62. Lidhjet martesore (45) 63. Shkurorëzimi (13) 64. Furnizimi dhe shpenzimi (2) 65. Ushqimet (23) 66. Akika (4) 67. Therrja dhe gjahu (13) 68. Kurbani (2) 69. Pijet (19) 70. Të sëmurit (13) 71. Mjekësia (22) 72. Veshjet (23) 73. Sjelljet e bukura (50) 74. Marrja e lejës (12) 75. Duatë (22) 76. Qetësimi i zemrës (46) 77. Kaderi (paracaktimi hyjnor) (5) 78. Beja dhe betimet (9) 79. Shlyerja e betimeve të paplotësuara (2) 80. Ligjet e trashëgimisë (6) 81. Ndëshkimet (7) 82. Dënimet (4) 83. Gjoba e gjakësit (5) 84. Pendimi (1) 85. Shpjegimi i ëndrrave (11) 86. Fitnet (12) 87. Gjykimet (11) 88. Dëshirat (2) 89. Kapja fort pas Kuranit dhe sunetit të Pejgamberit a.s. (8) 90. Teuhidi (11)
Kapitulli: 1183. Tregimi i Kab Ibn Malikut r.a. dhe Fjala e Allahut të Madhëruar: "Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa (Ai fali e nuk u bashkuan me ekspeditën e Tebukut) ..." (Kuran, 9:118)
›  1699 Kab Ibn Malik r.a. tregon: "Asnjëherë nuk kam mbetur pa e ndjekur të Dërguarin të Allahut a.s. në çdo fushatë ushtarake që ai ndërmori, përveç ekspeditës së Tebukut. Po kështu, nuk munda të marr pjesë as në Luftën e Bedrit, por Allahu nuk qortoi askënd që nuk kishte marrë pjesë në të, pasi, në të vërtetë, i Dërguari i Allahut a.s. u nis të kapte karvanin e kurejshëve, kurse Allahu bëri që muslimanët dhe armiku i tyre të përballeshin pa lënë takim. Unë isha i pranishëm natën e Besës së Akabesë me të Dërguarin e Allahut a.s., kur ne dhamë besën për Islam dhe unë nuk do ta ndërroja atë me Betejën e Bedrit, ndonëse Beteja e Bedrit është më popullore se Besa e Akabesë. Sa për luftën e Tebukut, kjo është ngjarja ime. Nuk kam qenë kurrë më i fortë dhe më i pasur sesa në kohën kur nuk i shkova pas Pejgamberit a.s. në atë ekspeditë. Për Allah, kurrë më parë nuk kam pasur dy deve, përveçse në kohën e kësaj lufte. Sa herë që i Dërguari i Allahut a.s. donte të ndërrmerrte ndonjë fushatë luftarake, ai e fshihte qëllimin e vërtetë dhe e mbulonte atë duke folur për luftëra të ndryshme, derisa erdhi koha e asaj lufte, të cilën i Dërguari i Allahut a.s. e ndërrmori në pikën e vapës, duke përballuar një udhëtim të gjatë, shkretëtirën dhe një armik aq të madh në numër. Prandaj Pejgamberi a.s. ua tregoi qartë muslimanëve vendin ku donte të shkonte, me qëllim që ata të mund të përgatiteshin siç duhet për luftën e tyre. Muslimanët që shkuan me të Dërguarin e Allahut a.s. ishin një numër shumë i madh që nuk mund të shënohej në regjistër. Çdokush që kishte ndërmend të mungonte prej saj, mendonte se çështja e tij do të mbetej e fshehtë, në qoftë se Allahu nuk do ta nxirrte në shesh, duke zbritur Shpallje Hyjnore. Kësisoj pra, i Dërguari i Allahu a.s. e ndërrmori atë luftë ndërkohë që frutat ishin pjekur dhe hija ishte e këndshme. I Dërguari i Allahut a.s. dhe muslimanët bashkë me të u përgatitën për luftë. Edhe unë fillova të dal që të përgatitesha bashkë me ta, por u ktheva pa bërë gjë. Thosha me vete: "Unë mundem për të"-, kështu që vazhdova ta lë pas dore kohë pas kohe, derisa njerëzit u bënë gati dhe i Dërguari i Allahut a.s. dhe muslimanët bashkë me të u nisën, ndërsa unë nuk kisha përgatitur asgjë për udhë. Thashë me vete: "Do të përgatitem për një ose dy ditë pas tij dhe pastaj do t'i arrij ata rrugës." Mëngjesin e ditës që ata u nisën, dola që të përgatitem, por u ktheva pa bërë asgjë. Pastaj dola përsëri mëngjesin tjetër për të përgatitur ndonjë gjë, por prapë u ktheva pa bërë asgjë. Kështu, vazhdoi puna ime, derisa ata nxituan, ndërsa unë në këtë mënyrë e humba betejën. Edhe atëherë desha të nisem që t'i arrija. Ah, sikur ta kisha bërë një gjë të tillë! Por nuk kishte qenë përcaktuar një gjë e tillë për mua. Kështu, kur dilja mes njerëzve (ata pak që kishin mbetur) pas largimit të të Dërguarit të Allahut a.s., më pikëllonte fakti që nuk shihja askënd rreth meje, përveç ndonjërit të zhytur në hipokrizi ose të ndonjë tjetri të dobët, të cilin Allahu e kishte shfajësuar dhe e kishte falur. I Dërguari i Allahut a.s. nuk më kishte kujtuar mua rrugës, por vetëm pasi kishte arritur në Tebuk. Kur kishte qenë ulur mes njerëzve në Tebuk, kishte pyetur: "Ç'bëri Kabi?" Dikush nga fisi Beni Selima i thotë: "O i Dërguari i Allahut! Atë e kanë penguar dy xhybet dhe vështrimi me krenari i vetvetes!" Muadh Ibn Xhebeli i tha: "Ç'fjalë të keqe ke thënë! Për Allah! O i Dërguari i Allahut! Ne nuk dimë për të, veçse të mirën." Ndërsa i Dërguari i Allahut rrinte i heshtur. Kur mora vesh se Pejgamberi a.s. po kthehej për në Medine, u zhyta në shqetësimin tim dhe fillova të mendoj shfajësime të rreme duke thënë me vete: "Me çfarë ta shmang zemërimin e tij nesër?" Për këtë mora këshillë nga njerëzit e mençur të familjes sime. Kur u hap fjala se i Dërgauri i Allahu a.s. i ishte afruar Medines, të gjitha shfajësimet e mia të trilluara më ikën nga mendja dhe unë e dija mirë se kurrë nuk mund të dilja nga kjo bela duke trilluar gënjeshtër, kështu që vendosa i bindur për të thënë të vërtetën. Kështu pra, i Dërguari i Allahut a.s. arriti në mëngjes. Sa herë që kthehej nga udhëtimi, para çdo gjëje ai vizitonte xhaminë, falte dy rekate namaz dhe pastaj ulej për njerëzit. Kur ai i mbaroi të gjitha këto, si zakonisht, këtë herë ata që nuk kishin marrë pjesë në këtë luftë shkuan dhe filluan t'i paraqesin atij shfajësime të trilluara dhe t'i betohen. Ata qenë pak më shumë se tetëdhjetë burra. I Dërguari i Allahut a.s. i pranoi shfajësimet e tyre, ua mori besën, iu lut Allahut që t'i falte ata dhe e la Allahun që të gjykonte të fshehtat e' zemrave të tyre. Pastaj iu afrova unë dhe, pasi e përshëndeta, ai më bëri buzëqeshjen e një njeriu të zemëruar dhe më tha: "Eja." Kështu, eca derisa u ula përballë tij. Ai më pyeti: "Ç'të ndaloi që të mos vish me ne? A nuk bleve dot ndonjë kafshë për t'i hipur?" Iu përgjigja: "Po. O i Dërguari i Allahut! Betohem për Allahun! Po të isha ulur përpara kujtdo tjetër nga gjithë njerëzit e kësaj bote, përveç teje, do ta kisha mënjanuar zemërimin e tij me një shfajësim. Për Allah, më është dhënë mundësia e shprehjes dhe e dialogut, por, për Allah, unë e di mirë se, në qoftë se sot do të të tregoj një rrenë që të kënaqesh me mua, padyshim që Allahu shumë shpejt do të të zemëronte ty me mua. Ndërsa po të të them të vërtetën, ndonëse ti do të inatosesh me mua, me këtë veprim unë shpresoj Faljen e Allahut. Për Allah, në të vërtetë nuk ka pasur asnjë pengesë a arsye. Për Allah, nuk kam qenë më i fortë dhe më i pasur sesa isha kur nuk të ndoqa ty." Pas kësaj i Dërguari i Allahut a.s. tha: "Sa për këtë burrë, ky vërtet që ka thënë të vërtetën. Ngrihu derisa ta gjykojë Allahu çështjen tënde!" Unë u ngrita dhe shumë burra nga fisi Beni Selima më ndoqën nga pas dhe më thanë: "Për Allah, kurrë nuk të kemi parë më përpara që të bësh ndonjë gjynah para këtij. Vërtet që ti dështove t'i sjellësh të Dërguarit të Allahut a.s. ndonjë arsye, siç bënë të tjerët që nuk u bashkuan me të në ekspeditë dhe do të të kishte mjaftuar lutja e të Dërguarit të Allahut a.s. që Allahu ta falte gjynahun tënd." Për Allah, ata vazhduan të më fajësojnë aq shumë, saqë desha të kthehem te Pejgamberi a.s. dhe të përgënjeshtroj vetveten, por u thashë: "A ka ndonjë tjetër që ka pësuar të njëjtin fat si unë?" Ata më thanë: "Po, janë edhe dy burra të tjerë që kanë thënë si ti, dhe të dyve iu dha e njëjta përgjigje si ty." Pyeta: "Kush janë ata?" Më thanë: "Murara Ibn Rebi' Amriu dhe Hilal Ibn Umejje Vakifiu." Më përmendën kështu dy burra të përkushtuar e të shquar që kishin marrë pjesë në luftën e Bedrit dhe të cilët ishin shembull i lartë për mua. Prandaj, kur më përmendën ata të dy, i qëndrova mendimit tim të parë. I Dërguari i Allahut a.s. i urdhëroi të gjithë muslimanët që të mos na flisin vetëm ne të treve, nga të gjithë ata që nuk morën pjesë në ekspeditë. Kështu, ne qëndruam larg njerëzve dhe ata ndryshuan sjelljen e tyre ndaj nesh, aq sa edhe toka në të cilën jetoja m'u bë si e huaj, si të mos e njihja fare. Kështu, ne vazhduam në atë gjendje për pesëdhjetë net. Sa për dy shokët shokët e mi, ata u mbyllën në shtëpitë e tyre duke qarë, ndërsa unë isha më i ri dhe më i qëndrueshëm se ata, prandaj dilja dhe falja namazin bashkë me muslimanët e tjerë, si dhe sillesha nëpër tregje, por askush nuk më fliste. Shkoja edhe tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe i jepja selam, kur ai ulej me njerëzit pas namazit dhe thosha me vete duke dëshiruar: " A do t'i lëvizë buzët Pejgamberi a.s. që të më kthejë selamin apo jo?" Pastaj falesha afër tij dhe i hidhja ndonjë shikim vjedhurazi. Kur unë filloja të falesha, ai kthehej nga unë, por, kur unë kthehesha drejt tij, ai e kthente fytyrën në anën tjetër. Kur kjo sjellje e ashpër e njerëzve ndaj meje zgjati shumë, u nisa dhe kapërceva murin e kopështit të Ebu Katadas, djalit të xhaxhait tim dhe njeriut më të dashur për mua. E përshëndeta por, për Allah, ai nuk ma ktheu përshëndetjen. I thashë: "O Ebu Katada! Të përgjërohem për Allahun! A e di se unë e dua shumë Allahun dhe fë Dërguarin e Tij a.s.?" Ai heshti. I thashë përsëri duke iu përgjëruar për Hir të Allahut, por ai përsëri nuk foli. Iu luta për herë të tretë për Hatër të Allahut dhe më tha: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë." Prej këtu sytë më kulluan lotë dhe u ktheva derisa kalova murin. Një ditë, ndërsa po ecja nëpër tregun e Medines, papritur pashë një fshatar të krishterë nga Shami, i cili kishte ardhur të shesë drithrat e tij në Medine duke thënë: "Kush më çon tek Kab Ibn Maliku?" Njerëzit filluan t'i tregojnë atij duke bërë me shenjë nga unë, derisa erdhi tek unë dhe më dha një letër nga mbreti i Gassanit. Kur e hapa letrën, ç'të lexoj: "... Dhe më tej: Kam marrë vesh se miku yt (Pejgamberi a.s.) të ka braktisur dhe është sjellë vrazhdë me ty. Megjithatë Allahu nuk do të të lë ty të jetosh në një vend ku ndjehesh i poshtëruar dhe ku të ka humbur e drejta. Eja, pra, tek ne dhe ne do të të ngushëllojmë!" Kur e lexova thashë me vete: "Edhe kjo është një sprovë tjetër!" Pastaj e mora letrën, e futa në furrë dhe ndeza furrën me të. Pasi kishin kaluar dyzet net nga pesëdhjetë të tilla, tek unë erdhi lajmëtari i të Dërguarit të Allahut a.s. dhe më tha: "I Dërguari i Allahut a.s. të urdhëron t'i rrish larg gruas tënde." E pyeta: "A të ndahem?" Ai më tha: "Jo, vetëm rri larg saj dhe mos jeto me të." Po të njëjtin urdhër Pejgamberi a.s. ua kishte çuar edhe dy shokëve të mi. I thashë gruas sime: "Shko te familja jote dhe rri me ta, derisa Allahu të gjykojë për këtë çështje." Ndërkohë gruaja e Hilal Ibn Umejjes shkoi tek i Dërguari i Allahut a.s. dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut! Umejje është burrë i vjetër dhe pa ndihmë, nuk ka as shërbëtor që t'i rrijë pranë. A do të të prishej qejfi, nëse unë do t'i shërbeja atij?" Ai i tha: "Jo, por ai nuk duhet të të afrohet ty." Ajo i tha: "Për Allah, ai s'ka asnjë dëshirë për asgjë! Për Allah, ai nuk ka pushuar së qari qysh kur i ndodhi ajo që i ndodhi e deri këtë ditë!" Pas kësaj disa pjesëtarë të fëmiljes sime më thanë: "Sikur edhe ti t'i kërkoje të Dërguarit të Allahut a.s. ta lejonte gruan tënde të të shërbente ashtu siç e la gruan e Hilalit t'i shërbejë atij!" U thashë: "Për Allah, nuk do t'i kërkoj leje të Dërguarit të Allahut a.s. për të. Ku ta di unë, se çdo të më thotë i Dërguari i Allahut a.s. nëse i kërkoj atij që ta lejojë atë të më shërbejë mua, ndërsa unë jam burrë i ri". Më pas, unë mbeta në atë gjendje edhe për dhjetë net të tjera, derisa u bënë plot pesëdhjetë net, qysh kur i Dërguari i Allahut a.s. i kishte ndaluar njerëzit të na flisnin. Pasi fala namazin e Agimit mëngjesin e natës së pesëdhjetë, hipa në çati në një nga shtëpitë tona dhe qëndroja ulur në atë gjendje të cilën Allahu e përshkruan në Kuran. M'u ngushtua shumë vetja, madje edhe toka më dukej e ngushtë me gjithë hapësirën e saj. Atëherë dëgjova zërin e dikujt që ishte ngjitur në kodrën Sab, duke thirrur me zë të lartë sa mundte: "O Kab Ibn Malik! Gëzohu!" Menjëherë rashë në sexhde përpara Allahut i bindur se tashmë vërtet kishte ardhur çlirimi. I Dërguari i Allahu a.s. kishte njoftuar se Allahu e kishte pranuar pendimin tonë kur kishte qenë duke falur namazin e Agimit. Pastaj njerëzit dolën të na urojnë. Disa përgëzues shkuan tek dy shokët e mi, ndërsa një kalorës nxitoi të vinte tek unë. Në të njëjtën kohë dikush nga fisi Beni Eslem erdhi mbi kalë dhe u ngjit në mal. Sigurisht që zëri i tij ishte më i shpejtë se kali. Kur erdhi për të më përgëzuar ai që ia dëgjova zërin, hoqa këmishën dhe xhyben time dhe ia vesha atij për lajmin e gëzuar që më solli. Për Allah, atë ditë nuk kisha rroba të tjera përveç atyre të dyjave. Pastaj mora hua dy rrobe të tjera, i vesha dhe u nisa drejt e tek i Dërguari i Allahu a.s.. Njerëzit më prisnin grupe- grupe, duke më uruar për faktin që Allahu e kishte pranuar pendimin tim. Ata thoshin: "Të urojmë që Allahu ta pranoi pëndimin." Kur hyra në xhami, pashë të Dërguarin e Allahut a.s. të ulur mes njerëzve. Talha Ibn Ubejdilahu erdhi shpejt drejt meje, më shtrëngoi dorën dhe më uroi. Për Allah, asnjë nga muhaxhirët nuk u ngrit të vinte tek unë, përveç atij dhe unë kurrë nuk do t'ia harroj atë Talhasë. Kur e përshëndeta të Dërguarin e Allahut a.s., ai më tha me fytyrë që shkëlqente nga gëzimi: "Gëzohu në ditën më të mirë që ke kaluar qysh kur të ka lindur nëna!" I thashë Pejgamberit a.s.: "A është kjo falje prej teje, o i Dërguari i Allahut, apo nga Allahu?" Ai më tha: "Jo, është nga Allahu." Sa herë që i Dërguari i Allahut a.s. gëzohej, fytyra e tij ndriçonte si të ishte një copë hëne dhe ne të gjithë e dinim këtë cilësi të tij. Kur u ula përpara tij, i thashë: "O i Dërguari i Allahut, për arsye se Allahu e pranoi pendimin tim, unë do ta jap gjithë pasurinë time sadaka për Hir të Allahut dhe të të Dërguarit të Allahut." I Dërguari i Allahut a.s. më tha: "Mba diçka nga pasuria jote. Kjo është më mirë për ty." Thashë: "Atëherë do të mbaj për vete hisen time të Hajberit"-, dhe shtova: "O i Dërguari i Allahut! Në të vërtetë, Allahu më shpëtoi për shkak të sinqeritetit tim, kështu që pjesë e pendimit tim është që të flas vetëm të vërtetën sa të jem gjallë." Për Allah! Nuk njoh askënd tjetër nga muslimanët që Allahu ta ketë ndihmuar për të thënë të vërtetën, sesa ç'më ka ndihmuar mua, qysh kur unë ia thashë atë të vërtetë të Dërguarit të Allahut a.s.! Prandaj, qysh atëherë e deri më sot, kurrë nuk kam menduar të gënjej. Shpresoj që Allahu të më ruajë prej saj edhe në këtë pjesë jete që më ka mbetur. Në këtë mënyrë Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij a.s. ajetin: "Allahu e ka falur Pejgamberin (a.s.), muhaxhirët dhe ensarët të cilët ... dhe jini me ata që janë të vërtetë (në fjalë e në vepra)." (Kuran, 9:117-119)
Për Allah! Kurrë Allahu nuk më ka dhuruar mirësi më të madhe, përveç udhëzimit tim në Islam, sesa sinqeriteti im ndaj të Dërguarit të Allahut a.s., të cilin nuk e mashtrova. Gënjeshtra do të më kishte sjellë shkatërrimin, ashtu siç u shkatërruan ata që gënjyen, sepse Allahu i përshkroi ata që mashtruan me cilësitë më të këqija që Ai ka përshkruar ndokënd tjetër, kur zbriti ajetet: "Kur të ktheheni tek ata, do t'ju betohen për Allahun që t'i lini. Largohuni prej tyre! Ata janë të ndyrë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi. Ky është dënimi për veprat e tyre. Ata do t'ju betohen që të jeni të kënaqur me ta. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ta, dijeni se Allahu sigurisht që nuk është i kënaqur me popullin e pabindur." (Kuran, 9:95-96). Kurse ne të tre ndryshonim plotësisht nga ata, arsyet e të cilëve i Dërguari i Allahut a.s. i pranoi pas betimit të tyre. I Dërguari i Allahut a.s u mori atyre besën dhe iu lut Allahut cjë Ai t i falte ata, ndërsa çështjen tonë e la pezull, derisa për të gjykoi Allahu. Dhe tamam për këtë Allahu thotë: "Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve, që mbetën prapa atëherë" (Kuran, 9:118)
Ajo që thotë Allahu në këtë ajet nuk bën fjalë për faktin që ne nuk morëm dot pjesë në luftë, por e ka fjalën për vonesën nga Pejgamberi a.s. për të gjykuar për çështjen tonë dhe për ta dalluar atë nga çështja e atyre, të cilët iu betuan atij dhe ai i fali ata duke ua pranuar atyre shfajësimet dhe arsyet që paraqitën." (4418)
URL: