Disa hadithe të zgjedhura
26.
Saad Ibn Ebi Vekkas r.a. tregon: "
Njëherë i Dërguari i Allahut a.s. ndau diçka ndërmjet një grupi njerëzish, ndërsa unë isha ulur diku atje, veç kur pashë se i Dërguari i Allahut la (pa pjesë) një burrë të cilin unë e mendoja më të mirin, kështu që i thashë: 'O i Dërguari i Allahut! Ç'ke me filanin (që nuk i jep pjesë nga zekati)? Për Allah, unë vërtet mendoj se ai është besimtar i mirë!' Ndërsa Pejgamberi a.s. vërejti: 'Apo thjesht musliman?' Unë heshta pak, por nuk munda të duroj dhe e përsërita pyetjen, për shkak të asaj që unë dija për të: 'Ç'ke me filanin (që nuk i jep)? Për Allah, unë me të vërtetë mendoj se ai është besimtar i mirë!' Pejgamberi a.s. përsëri më tha: 'Apo thjesht musliman?' (Pasi heshta) nuk munda të duroj, për shkak të asaj që dija për të dhe e përsërita pyetjen së treti, ndërsa i Dërguari i Allahut a.s. m'u përgjigj njëlloj. Pastaj më tha: 'O Saad! Padyshim që unë i jap një njeriu, ndonëse tjetërkush është më i dashur për mua sesa ai, nga frika se atë mund ta përplasë Allahu me fytyrë në zjarr'.
19.
Ebu Said Hudriu r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "
Do të vijë një kohë kur pasuria më e mirë e muslimanit do të jenë delet, të cilat do t i çojë në majë të maleve dhe në luginat me shi, që kështu të largohet atje, bashkë me fenë e tij (Islamin), prej fitneve (vështirësive në përmbushjen e detyrave të fesë, sprovave, mundimeve, trazirave etj.)
25.
Ebu Hurejra r.a. tregon: "
Të Dërguarin e Allahut a.s. e pyetën: 'Cila është vepra më e mirë?' Ai u përgjigj: 'Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij (Muhamedin a.s.).' E pyetën prapë: 'Po pastaj çfarë (vepre vjen)?' Ai u përgjigj: 'Lufta për çështjen e Allahut.' Folësi pyeti prapë: 'Po pastaj çfarë?' Ai u përgjigj: 'Haxhi (i kryer në rregull dhe) i pranuar (nga Allahu).'
2020.
Xherir Ibn Abdullahu r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka thënë: "
Kush nuk mëshiron, nuk mëshirohet.
2223.
Ebu Hurejra r.a. tregon se Pejgamberi a.s. ka rrëfyer: "
Kur i krijoi krijesat, Allahu shkroi në Librin e Vet të vendosur tek Ai mbi Arsh, duke ia bërë detyrim Vetes: 'Vërtet që Mëshira Ime e mund Zemërimin Tim'!
|